Presidenti i ShBA-së Joe Biden ripohoi të hënën mbështetjen e ShBA-së për Kievin në një telefonatë me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, një përpjekje për ta qetësuar Ukrainën përpara samitit ShBA-Rusi që do të mbahet rreth fundit të këtij muaji.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan tha në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë se Biden i tha Zelensky-t se "do ta mirëpresë atë në Shtëpinë e Bardhë këtë verë".

Në një deklaratë, Zelensky tha se e pranoi ftesën. Në bisedën e tyre telefonike, Biden ripohoi mbështetjen për ofrimin e një rruge për Ukrainën për t'u bashkuar me NATO-n, shtoi ai.

Telefonata u zhvillua ndërsa Kievi ka ngritur shqetësime në lidhje me takimin e ardhshëm Biden-Putin dhe lëvizjen e fundit të ShBA-së në projektin e tubacionit të gazit “Nord Stream 2” midis Rusisë dhe Gjermanisë.

Në një intervistë të fundit për Axios, një faqe amerikane lajmesh, Zelensky tha se ishte "befasuar" dhe "zhgënjyer" me vendimin e ShBA-së për të hequr dorë nga sanksionet kundër kompanisë dhe kryeekzekutivit që qëndrojnë pas projektit “Nord Stream 2”.

Ukraina ka qenë në konflikt me Rusinë për Krimenë, e cila u bë pjesë e Rusisë në vitin 2014.

Të hënën, Sullivan tha se administrata e Biden-it nuk pret rezultate të rëndësishme nga samiti. Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka të bëjë me verifikimin në vend të besimit, shtoi ai.

Të premten, presidenti rus Vladimir Putin minimizoi gjithashtu perspektivat e takimit të tij të parë kokë më kokë me homologun amerikan, duke thënë se nuk ka gjasa që takimi të përfundojë me një përparim.

Biden do të nisë udhëtimin e parë jashtë vendit si president këtë javë. Ai do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar nga 9 deri më 13 qershor për të marrë pjesë në Samitin e Grupit të Shtatë (G7) dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me udhëheqësit e vendeve anëtare të G7-s.

Më pas, ai do të udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s dhe takimi i tij me Putin është caktuar në 16 qershor në Gjenevë.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Moskës kanë qenë kundërshtuese në vitet e fundit. Dy palët kanë dallime të dukshme në çështjet që lidhen me Ukrainën, sigurinë kibernetike, të drejtat e njeriut dhe ndërhyrjet e zgjedhjeve në ShBA. (Albana)