Foto nga "People Vision"

Foto nga "People Vision"

Mostrat nga një studim që tregon se COVID-19 u përhap jashtë Kinës para tetorit të vitit 2019, u ritestuan me kërkesën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), njoftoi agjencia "Reuters", duke cituar dy shkencëtarët që drejtojnë këtë studim.

Megjithëse COVID-19 u identifikua për herë të parë në Wuhan, qytet i Kinës Qendrore, në dhjetor të vitit 2019, një studim që u publikua vitin e kaluar tregon se antitrupa të virusit të COVID-19 ose të një varianti të tij u zbuluan diku tjetër para raportimit të parë të konfirmuar të virusit në Kinë.

Antitrupat asnjanësuese të SARS-CoV-2 u zbuluan në gjakun e mbledhur nga vullnetarë të shëndetshëm në Itali në tetor 2019, gjatë një prove skaneri për kancerin e mushkërive, sipas studimit të publikuar në revistën shkencore "Tumori Journal" të Institutit Onkologjik të Milanos.

"OBSh-ja është në kontakt me studiuesit që botuan artikullin origjinal. Është vendosur bashkëpunimi me laboratorët partnerë për testim të mëtejshëm," njoftoi "Reuters"-i duke iu referuar fjalëve të zëdhënësit të OBSh-së.

OBSh-ja është në dijeni se studiuesit planifikojnë të publikojnë një raport vijues "në të ardhmen", u shpreh zëdhënësi.

Studiuesit thanë se rezultatet e studimit të fundit të kërkuar nga OBSh-ja nuk mund të japin përgjigje konkrete për mitin e origjinës gjeografike të COVID-19, sipas raportit.

"Gjetëm vetëm reagimin ndaj virusit, domethënë antitrupat. Kështu mund të themi se ky koronavirus ose një shumë i ngjashëm me të, ndoshta një variant më pak i transmetueshëm, po qarkullonte këtu në tetor," tha një nga kërkuesit. (Wang Lei/ Artan)