Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder/foto nga agjencia e lajmeve "Deutsche"

Ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder/foto nga agjencia e lajmeve "Deutsche"

Gjatë një interviste më 20 maj, ish-kancelari gjerman Gerhard Schroeder i bëri thirrje Evropës të forcojë dialogun e bashkëpunimin me Kinën dhe shprehu kundërshtim për qëndrimin e fortë dhe sanksionet ndaj Kinës.

Sipas Schroeder-it, Gjermania, si një vend i madh industrial me orientim nga eksportet, duhet të mos ndjekë të ashtuquajturën “politikë të jashtme të vlerave”, veçanërisht gjatë periudhës pandemike. Ai vuri në dukje gjithashtu se aktualisht një e katërta e produkteve të industrisë së automjeteve të Gjermanisë dërgohen në Kinë, “që do të thotë se Kina është tregu i jashtëm më i rëndësishëm i Gjermanisë”.

Schroeder-i është i mendimit se Bashkimi Evropian nuk duhet të ushtrojë asnjë sanksion ndaj Kinës, sepse ajo ka shërbyer pa dyshim si motori i zhvillimit ekonomik të botës dhe ky rol do të forcohet edhe më tej në të ardhmen. Sipas tij, qëndrimi i fortë ndaj Kinës do të shkaktojë pasoja të rënda dhe do të jetë pa dobi. “Orvatja e botës perëndimore për izolimin e Kinës s’ka aspak mundësi të ketë sukses. Së pari, kjo nuk realizohet nga aspekti politik, sepse Kina është vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Së dyti, kjo nuk është reale edhe ekonomikisht. Kina është tregu numër 1 në botë për shumë fusha. Së treti, Kina zotëron me të vërtetë shumë teknologi të përparuara dhe është e pamundur që ta detyrojmë Kinën të bëhet përsëri fabrika e industrisë së Perëndimit,” theksoi ish-kreu i qeverisë gjermane.(Wang Lei/ Artani)