Drejtues të qarkeve mjekësore nga ShBA-ja dhe Kina u shprehën se ndarja e informacioneve dhe bashkërendimi ndërkombëtar janë të rëndësishme për luftën kundër COVID-19.

Në një seminar në internet të organizuar nga Universiteti i Edinburgut, Anthony Fauci, kryekëshilltari mjekësor i presidentit amerikan, dhe specialisti kinez i sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes Zhong Nanshan mbajtën së bashku fjalime.

Zhong Nanshan vlerësoi vendimin e presidentit Biden për rifillimin e financimit nga ShBA-ja të Organizatës Botërore Shëndetësore (OBSh), duke shtuar se,

me përkrahjen e ShBA-së, OBSh-ja mund të luajë një rol më të madh në rishpërndarjen e vaksinave.

Ashtu si Zhong-u, edhe Fauci është një përkrahës i përpjekjeve globale për vaksinim, pasi virusi mund të shumohet dhe të pësojë ndryshime në vendet me përqindje të ulët vaksinimi, duke çuar në një valë tjetër të epidemisë.

Bashkëpunimi midis Kinës dhe ShBA-së kundër COVID-19, që dukej i pamundur gjatë periudhës së administratës së Trump-it, mund të jetë çelësi për të mposhtur virusin. Sipas Fauci-t, ka shumë shembuj në histori që dëshmojnë se kjo është e mundur:

"Në të kaluarën, falë bashkëpunimit global, kemi fituar kundër lisë, poliomelitit, fruthit. Nuk ka asnjë arsye pse të mos bëjmë të njëjtën gjë kundër COVID-19 nëpërmjet një ndërthurjeje të masave bashkëpunuese të shëndetit publik dhe zbatimit të shkencës." (Çang Çuo/Artan)