Foto nga VCG
Ekspertët e kompanive të prodhimit të vaksinave thonë së fundmi se vaksinimi i fëmijëve mund të jetë çelësi i fitores ndaj pandemisë, teksa shtojnë se ka nisur testimi klinik i tyre te më të rinjtë.
Megjithëse Covid-19 ka shfaqur një masë më të vogël infektueshmërie dhe vdekshmërie te më të rinjtë, ka prova se fëmijët mund të jenë transmetues.
“Prandaj derisa të gjithë, përfshi edhe fëmijët, të jenë vaksinuar, mbetet ende rrezik i konsiderueshëm rishfaqjeje”, -tha John Edmunds, anëtar i grupit të mjekëve këshilltarë të qeverisë në Britani.
Studiuesit e vaksinës së Oxford/AstraZeneca kanë nisur një studim për të parë nëse vaksina e tyre funksionon te fëmijët nga 6-17 vjeç, bën të ditur “The Guardian”.
“Nëse vaksinat provohen që kanë efekt të mjaftueshëm te transmetimi dhe nëse të gjithë të rriturit supozohet se do të vaksinohen këtë vit, atëherë burimi i vetëm i përhapjes do të mbeten fëmijët”, -tha dr. Rinn Song, studiues i grupit të vaksinës së Oksford.
Por studiuesit kujtuan se ashtu si për shumë vaksina të tjera, mbajtja nën kontroll e sëmundjes mund të kryhet edhe pa imunizuar çdo person. “Kështu edhe për koronavirusin, nëse do të imunizonim çdo person do të ishte diçka e rrallë, por jo rregulli për t’u zbatuar”.
“është ende çështje e hapur se deri ku duhet të shkojmë me vaksinimin për të pasur gjërat nën kontroll. Ne besojmë se deri në fund të vitit do të kemi nisur të përdorim vaksinat për fëmijët nën 18 vjeç, por kjo nuk është diçka e sigurt, edhe pse pritet të ndodhë”, -thanë studiuesit britanikë të vaksinave”. (Elona)