“Evropa dhe kompanitë farmaceutike duhet të bashkëpunojnë për të përshpejtuar vaksinimet kundër Covid-19 dhe për të ndarë doza me vendet më të varfra”. Kështu deklaroi shefi për Evropën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë një interviste për “AFP”-në. Ai shprehu shqetësim për përhapjen e varianteve të reja të virusit.

Kluge tha se kompanitë farmaceutike konkurruese duhet të bashkojnë përpjekjet për rritjen drastike të kapacitetit të prodhimit.

Në Bashkimin Evropian, vetëm 2.5% e popullsisë ka marrë dozën e parë të vaksinës, megjithëse njoftimet nga disa laboratorë për rritjen e dërgesave të vaksinave kanë rritur shpresat për një përshpejtim të procesit.

I pyetur nëse vaksinat e disponueshme që nga dhjetori do të ishin efektive kundër varianteve të reja të virusit, Kluge u përgjigj: “Kjo është pyetja më e vështirë. Jam i shqetësuar për këtë. Ne duhet të jemi të përgatitur për mutacione të reja problematike të virusit”.

Kluge përsëriti thirrjen e OBSH-së për vendet e pasura për të treguar solidaritet ndaj kombeve të varfra, të paaftë për të blerë vaksina, duke i nxitur të pasurit të ndajnë dozat e tyre. (Irma)