Foto nga VCG

Foto nga VCG

Një hulumtim i ri vuri në pah se pandemia e koronavirusit të ri ka një efekt shkatërrues mbi shëndetin mendor të të rinjve.

Si pjesë e hulumtimit të kryer nga organizata humanitare “The Prince’s Trust” në Britaninë e Madhe, u pyetën 2180 të rinj të moshës 16 deri në 25 vjeç, shkruan “Anadolu Agency”.

Hulumtimi vazhdon prej 12 vitesh, por këtë herë në krahasim me vitet e kaluara u vërejt se më shumë te rinj janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre.

Hulumtimi tregoi se një e katërta e pjesëmarrësve të rinj në këtë studim nuk kanë arritur të kapërcejnë problemet që i hasin në jetën e përditshme që nga fillimi i pandemisë.

Shkalla e të rinjve që janë të paarsimuar ose të papunë dhe që thanë se nuk arritën të kapërcenin problemet është rreth 40%.

Pothuajse gjysma e këtyre të rinjve u shprehën se shëndeti i tyre mendor ishte përkeqësuar që nga fillimi i pandemisë, ndërsa më shumë se gjysma thanë se ishte bërë gjithnjë e më e vështirë për të aplikuar për një punë gjatë kësaj periudhe dhe se ata nuk mund të parashikonin se kur do të mbaronte kjo.

Jonathan Townsend nga “The Prince’s Trust” tha se pandemia kishte efekte shkatërruese në shëndetin mendor dhe kushtet e jetesës të të rinjve.

“Të rinjtë përballen me një jetë të parregullt arsimore, një treg të reduktuar të punës, si dhe izolim nga miqtë dhe të dashurit e tyre. Kjo bën që shumë njerëz të humbin shpresat për të ardhmen”, -tha ai. (Elona)