Pakistani miratoi të hënën vaksinën COVID-19 të zhvilluar nga kompania kineze “Sinopharm” për përdorim emergjent, sipas një deklaratë qeveritare, dy ditë pasi vaksina e “AstraZeneca” e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit mori një autorizim të ngjashëm.
Autoriteti Rregullator i Barnave i Pakistanit tha se vaksinës, të prodhuar nga Grupi Shtetëror Farmaceutik i Kinës (Sinopharm), i është dhënë miratimi i përdorimit emergjent.
Ministria e Shëndetësisë e Pakistanit tha se vendi është në proces bisedimi me prodhuesit e ndryshëm të vaksinave.
"Të dyja vaksinave kundër COVID-19 u është dhënë autorizimi për përdorim emergjent me kushte të caktuara," tha një zëdhënës i Autoritetit, duke shtuar se dy vaksinat janë vlerësuar për sigurinë dhe cilësinë.
Autorizimi do të rishikohet në baza tremujore për të dhëna të mëtejshme në lidhje me sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë, tha zëdhënësi.
Pakistani ka qenë në bisedime me disa prodhues vaksinash, tha ministri i Shëndetësisë Faisal Sultan gjatë fundjavës, duke shtuar se vendi mund të marrë "dhjetëra miliona" dozash sipas një marrëveshjeje me “CanSino Biologics” të Kinës.
Vaksina kandidate Ad5-nCoV e COVID-19 e kompanisë është pranë përfundimit të provave klinike të Fazës III në Pakistan. Rezultatet paraprake të vaksinës “CanSino” do të dalin në mes të shkurtit, tha Sultan.
Ministri tha se Pakistani ka në plan të mbulojë vaksinat falas për shumicën e popullsisë, duke shtuar se kompanitë private do të importojnë dhe shesin vaksina pasi furnizimi të ishte i disponueshëm për një kompani të autorizuar.
Pakistani raportoi të hënën 1920 raste të reja me koronavirus dhe 46 vdekje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në mbi 521 mijë dhe numrin e vdekjeve në afro 11 mijë. (Albana)