Menaxhimi i dobët qeveritar i vaksinimit për COVID-19 ka shkaktuar çrregullsi dhe pështjellim në mbarë ShBA-në, thuhet në një artikull të botuar më 17 janar në uebsajtin e "The Wall Street Journal".
Sipas artikullit, "Vaksinat e COVID-19 ngecin në hapin e fundit", në jug të shtetit të Teksasit një burrë fjeti në makinën për dy net për të mos humbur vendin e tij në rreshtin prej qindra vetash në një pikë vaksinimi. Në perëndim të shtetit Kentaki, ata që ishin regjistruar në internet për vaksinim, zbuluan se dozat për ta u ishin injektuar tashmë atyre që nuk kishin bërë rezervim. Në shtetin e Nju-Meksikos, zyrtarët punësuan më shumë veta në linjat e drejtpërdrejta për vaksinimin, pasi numri i telefonuesve ishte shumë i madh.
Sipas artikullit, sfida më e madhe e punës së vaksinimit në ShBA është si të garantohet që të vaksinohen njerëzit e duhur. Të dhënat nga Qendra e Parandalimit dhe e Kontrollit të Sëmundjeve tregojnë se deri në paraditën e 15 janarit, ishin shpërndarë afro 31 milionë doza vaksina, por vetëm 12 milionë ishin bërë.
"Qeveria federale i transportoi këto vaksina në shtete të ndryshme , që vendosën kriteret e veta se kush do të vaksinohen të parët. Por problemet e ndërlikuara logjistike menaxhohen nga departamentet e shëndetësisë, spitalet dhe ofrues të tjerë vendorë dhe shumë prej tyre nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë si duhet. Si rezultat, ky është një proces i çrregullt që sjell frustrim dhe pështjellim në mbarë vendin", vihet në dukje në artikullin e "The Wall Street Journal". (Zhang Yan/Artan)