Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se imuniteti i popullsisë nuk do të arrihet këtë vit, shkruan “Ansa”.

Vendet në të gjithë botën janë duke pritur që vaksinat më në fund t’i lejojnë ato të kthehen në normalitet në muajt e ardhshëm, por shefja e shkencës në OBSH, Soumia Swaminathan, ka paralajmëruar se do të duhet kohë për të prodhuar dhe administruar doza të mjaftueshme për të ndaluar përhapjen e virusit.

“Ne nuk do të arrijmë asnjë nivel të imunitetit të popullsisë në vitin 2021”, -tha ajo në një konferencë shtypi në selinë e OBSH-së në Gjenevë.

Swaminathan theksoi se masat parandaluese, si distancimi fizik dhe mbajtja e maskave, duhet të vazhdojnë për të parandaluar pandeminë. “Duhet kohë për të rritur prodhimin e dozave, jo vetëm në miliona, por këtu ne po flasim për miliarda”, -shtoi ajo, duke u bërë thirrje njerëzve që të jenë pak më të duruar. (Elona)