Kina do t'i dërgojë "urgjentisht" vaksina të COVID-19 Mianmarit për ta ndihmuar këtë vend fqinj të kontrollojë pandeminë, u shpreh këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi të hënën.

Vetëm të dielën, Ministria e Shëndetësisë dhe e Sporteve e Mianmarit raportoi 555 raste të tjera të COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 130 604.

"Unë besoj se miqësia midis Kinës e Mianmarit do të thellohet më tej gjatë sfidës së pandemisë së COVID-19," tha Wang gjatë takimit me presidentin e Mianmarit U Win Myint në kryeqytetin e këtij vendi Nejpitou. Kryediplomati kinez sapo ka filluar turneun e tij gjashtëditor në Azinë Juglindore, vetëm një ditë pas përfundimit të vizitës në Afrikë.

Nga ana e tij, presidenti i Mianmarit së pari vlerësoi lart marrëdhëniet midis dy vendeve. "Edhe pse në kohën e pandemisë globale, (Wang) ishte një nga diplomatët e parë që erdhi për vizitë," tha ai.

Presidenti mianmaras u zotua gjithashtu për thellimin e lidhjeve dypalëshe dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim me Kinën në fusha si vaksina e COVID-19, kultura dhe turizmi. (Vera/Artan)