COVAX, një nismë ndërkombëtare për vaksinat e COVID-19, e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), ka siguruar kontrata për 2 miliardë doza vaksinash, tha të premten drejtori i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

COVAX, e cila synon të sigurojë qasje të barabartë në vaksinat COVID-19 për të gjitha vendet pjesëmarrëse, ka siguruar kontrata për 2 miliardë doza vaksinash të sigurta dhe efektive të COVID-19, tha kreu i OBSh-së.

Ai e vuri përsëri theksin te ndarja e drejtë e vaksinave midis vendeve të pasura dhe vendeve të varfra.

"Aktualisht, 42 vende po përgatisin vaksina të sigurta dhe efektive të COVID-19. 36 nga këto janë vende me të ardhura të larta dhe gjashtë janë me të ardhura të mesme. Kështu që ekziston një problem i qartë se vendet me të ardhura të ulëta dhe shumica e vendeve me të ardhura të mesme nuk po marrin ende vaksina", tha Tedros.

"Vendet e pasura kanë blerë shumicën e vaksinave. Tani po shohim gjithashtu që vendet me të ardhura të larta dhe ato me të ardhura të mesme, që janë pjesë e COVAX-it, po nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe shtesë," theksoi ai.

Meqenëse "nacionalizmi i vaksinave na dëmton të gjithëve dhe është vetëshkatërrues", Tedros u kërkoi vendeve që kanë lidhur kontrata për më shumë vaksina se sa kanë nevojë dhe po kontrollojnë ofertën globale, të dhurojnë dhe t'ia japin ato menjëherë COVAX-it. Ai gjithashtu u bëri thirrje vendeve dhe prodhuesve të ndalojnë marrëveshjet dypalëshe në dëm të COVAX.(Artan)