Emiratet e Bashkuara Arabe planifikojnë të nisin prodhimin e vaksinave të koronavirusit të "Sinopharm"-it dhe gjithashtu të blejnë miliona doza nga kjo kompani, njoftoi të martën Ministria e Shëndetësisë dhe e Parandalimit e Kinës.

Njoftimi pason miratimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të vaksinës së kompanisë kineze "Sinopharm" për përdorim publik muajin e kaluar.

Rezultatet klinike të fazës së fundit kanë treguar se vaksina e "Sinopharm"-it ka një efikasitet 86 për qind kundër koronavirusit. Mbi 31 000 vullnetarë janë regjistruar për provat klinike, sipas qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe.

Të paktën 826 301 doza vaksinash janë bërë deri tani, duke mbuluar tetë për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit, tha në "Twitter" Farida Al-Hosani, zëdhënëse e Sektorit të Shëndetësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke shtuar se objektivi është të vaksinohet më shumë se 50 për qind e popullatës gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Emiratet e Bashkuara Arabe duan të arrijnë imunitetin e tufës sivjet duke vaksinuar deri në 70 për qind të banorëve të vendit, njoftoi "Bloomberg"-u duke cituar një gazetë të Abu-Dabit.

"Sinopharm" i ka furnizuar Emiratet e Bashkuara Arabe me tre milionë doza.

"Sipas të dhënave paraprake nga Emiratet e Bashkuara Arabe, përdorimi urgjent tregon se vaksina e COVID-19 e degës CNBG të 'Sinopharm'-it është e sigurt për përdorim në shkallë të gjerë dhe ka ulur ndjeshëm sëmundjen te njerëzit e vaksinuar," njoftoi kompania të martën.

Emiratet e Bashkuara Arabe autorizuan përdorimin urgjent të vaksinës së "Sinopharm"-it për punonjësit e shëndetësisë në shtator.

Më 22 dhjetor Emiratet e Bashkuara Arabe filluan vaksinimin falas kundër COVID-19 për të gjithë qytetarët dhe personat me banim në këtë vend. Vaksinimi mund të bëhet në klinikat publike e private, si edhe në spitalet fushore në Emiratet e Bashkuara Arabe.(Vera/Artan)