Presidenti i ri i konfederatës zvicerane, Guy Parmelin pranoi gabimet në menaxhimin e pandemisë, në një intervistë për të përditshmen, “SonntagsBlick”, cituar nga ATSH.
“Mes korrikut dhe shtatorit ne e kemi nënvlerësuar situatën”, deklaroi ai për të përditshmen. “Ne menduam se mund ta kontrollonim virusin”, theksoi Parmelin duke pranuar se autoritetet ishin shumë larg kësaj.
Parmelin mori funksionet e tij më 1 janar, por si këshilltar federal i ngarkuar me ekonominë, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizës shëndetësore që prej një viti. Zvicra përjetoi një valë të parë relativisht të moderuar në krahasim me forcën e pandemisë që goditi fqinjët europianë, por që nga vjeshta vendi ka përjetuar një valë të dytë shumë më të fortë. Vaksinimet kanë filluar në disa kantone, por me një ritëm të ngadaltë. (Irma)