Në shumë vende të botës ka nisur tashmë fushata e vaksinimit kundër Covid 19, ndërsa në Shqipëri dozat e para të vaksinës së“Pfizer” pritet të mbërrijnë në javën e tretë të këtij muaji.

Por ka edhe disa kategori njerëzish, që përjashtohen nga bërja e vaksinës.

Ekspertë të shëndetësisë thonë për “Top Channel” se përjashtohen nga vaksinimi personat shumë alergjikë, pasi kanë ndjeshmëri të shtuar ndaj përbërësve të vaksinës; gratë shtatzëna pasi u rrezikohet fetusi dhe fëmijët, të cilët e kalojnë Covid 19 në një formë të lehtë ndaj është gjykuar që mos ta bëjnë vaksinën.

Në dimër, krahas Covid-it, qarkullojnë edhe virozat e stinës. Mjekët kanë këto këshilla si për ata që e kaluan Covid-in, edhe për ata që nuk janë prekur prej virusit.

“Sugjerojmë konsumim të lartë të frutave që ndikojnë në forcimin e sistemit imunitar, si portokaj e mandarina. Këshillojmë një dietë ushqimore të rregullt, marrjen e vakteve të plota dhe në orare të caktuara”. (Elona)