Kryeministri Edi Rama deklaroi se vaksina anti-Covid do të jetë falas dhe jo e detyrueshme, ndërsa njoftoi lajmin e mirë të sigurimit të 500 mijë dozave të para nga kompania “Pfizer”, gjatë daljes publike, që u transmetua dhe në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama nuk e konsideroi një sfidë të lehtë, as atë të menaxhimit të procesit të vaksinimit. “Jemi të mirëpërgatitur që ta ngremë në kohë infrastrukturën e vaksinimit për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka hartuar strategjinë, programin dhe planin e kalendarizuar të procesit”, -tha Rama.
Shefi i qeverisë shqiptare deklaroi se ka nisur puna prej disa javësh me projektin e qendrave të vaksinimit në Shqipëri. Qendra e parë do jetë ajo e Tiranës në stadiumin “Air Albania”, ku brenda pak ditësh gjithçka do të jetë gati me një mjedis vaksinimi me standardet më të mira tekniko-profesionale për të mirëpritur grupet përfituese sipas planit të jetësimit të fushatës së vaksinimit, “Shqipëria Buzëqesh”. (Irma)