27 dhjetori do të jetë Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë Epidemike, e thirrur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për parandalimin, gatishmërinë dhe partneritetin kundër epidemive, shkruan televizioni “A2”.
Në fjalimin virtual në Ditën Ndërkombëtare të Gatishmërisë për Epideminë, e cila do të mbahet çdo vit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi se Covid-19 nuk do të jetë pandemia e fundit që do të njohë bota.
Kreu i OBSH-së bëri thirrje se duhet të investohet në përgatitjen e kapaciteteve për t’u përballur me një pandemi të tillë. Sipas tij, Covid-19 ka çoroditur botën duke lënë pasoja afatgjata për shoqëritë dhe ekonomitë e vendeve. Ai theksoi se bota duhet të mësojë nga e shkuara për të qenë më të përgatitur. (Irma)