Londra u përfshi nga demonstrata të dhunshme, kundër masave kufizuese për frenimin e pandemisë së koronavirusit. Tubuesit u përplasën me policinë, 150 prej tyre u prangosën, shkruan “BBC”.
Në një deklaratë të publikuar nga Policia e kryeqytetit britanik thuhet se një numër masash u morën për të parandaluar tubimin e qytetarëve dhe për t’i inkurajuar ata të qëndronin në shtëpitë e tyre. Gjatë ndërhyrjes policore u ndaluan 150 demonstrues, për shkak të shkeljes së masave kundër Covid-19, sulmit ndaj policisë dhe posedim droge.
“Kjo ka qenë një ditë e vështirë për Policinë Metropolitane, Policinë e Londrës dhe Policinë britanike të Trafikut. Arrestimet u bënë sepse protestuesit shkelën me qëllim ligjin, sulmuan zyrtarët tanë dhe ndërprenë trafikun”, tha kryekomisari i Policisë, Stuart Bell.