Kina e ka siguruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSh) se një vizitë ndërkombëtare në terren për të hetuar origjinën e koronavirusit të ri do të organizohet sa më shpejt të jetë e mundur, tha eksperti i emergjencave i OBSh-së Mike Ryan të hënën.
Studiuesit kinezë po kryejnë studime epidemiologjike mbi rastet e hershme dhe kushtet në një treg të produkteve të detit në qytetin qendror kinez të Wuhan-it, ku virusi u identifikua për herë të parë në vend.
Duke folur në një konferencë për shtypin, dr. Mike Ryan u shpreh: "Ne presim që të kemi një ekip në terren. Ekipi ynë ndërkombëtar duhet të jetë në gjendje që të bashkohet me kolegët tanë kinezë dhe të shkojë në terren, për të parë rezultatet e studimeve të fazës së parë dhe për t'i verifikuar këto të dhëna në terren."
Kjo do të ndihmonte "që bashkësia ndërkombëtare të sigurohet për cilësinë e studimit shkencor", tha ai.
Tregu i Wuhan-it "ka të ngjarë të ketë qenë një pikë e amplifikimit" të transmetimit të virusit, por nëse kjo ishte nga përhapja njerëzore, shtazore ose mjedisore nuk dihet ende, tha Ryan, duke shtuar se kishte pasur raste te njerëzit që i paraprinin kësaj ngjarjeje.
Sipas tij, mund të ketë më shumë se një rast të pacientit zero në disa situata, sepse mund të ketë më shumë se një kalim të virusit nga një specie te tjetra.
Ne po shohim gjithnjë e më shumë se viruset janë identifikuar në shumë vende të ndryshme, vuri në duke dr. Ryan.
Në një artikull të botuar në revistën "Nature" pasqyrohen zbulime të reja mbi origjinën e mundshme të koronavirusit. Dy vende aziatike thuhet se kanë gjetur në laboratorët e tyre koronavirusë të lidhur ngushtë me SARS-CoV-2, përgjegjës për pandeminë e këtij viti.
Njëri u identifikua në të ashtuquajturët "lakuriqë nate patkua" të ruajtur në një frigorifer në Kamboxhia, ndërsa tjetri në jashtëqitjet e ngrira të lakuriqëve të natës në Japoni. Të dy llojet e koronavirusit, sipas studiuesve, janë të afërmit e parë të njohur të SARS-CoV-2 që janë gjetur jashtë Kinës.
Ndërsa sipas hulumtimeve të mëparshme të kryera nga shkencëtarë ndërkombëtarë, SARS-CoV-2 e ka origjinën nga lakuriqët e natës patkua, "Nature" shkroi se këto gjetje mbështesin idenë e OBSh-së për të bërë një kërkim gjithëpërfshirës në Azi.
Më 11 nëntor, OBSh-ja shpalli planin për të hetuar origjinën e pandemisë, një veprim që shkencëtarët besojnë se do të ndihmojë në parandalimin e përhapjeve virale në të ardhmen.
Përveç kësaj, sipas një studimi të fundit nga Instituti Kombëtar i Kancerit në Itali, COVID-19 kishte qarkulluar në qytetin italian të Milanos që nga shtatori 2019, tre muaj para se të raportohej për herë të parë në Kinë.
OBSh-ja tha se po shqyrtonte rezultatet nga Italia dhe po kërkonte sqarime. Përfaqësuesit e OBSh-së do të kontaktojnë autorët e artikullit "për të diskutuar dhe bërë rregullime mbi analizat e mëtejshme të mostrave në dispozicion dhe verifikimin e rezultateve të neutralizimit". (Vera/Artan)