Numri i rasteve të reja me Covid-19 në Evropë ka pësuar rënie javën e kaluar, për herë të parë që prej tre muajsh, por numri i viktimave vazhdon të rritet, sipas të dhënave të OBSH-së, të publikuara të mërkurën.
“Në total rreth 4 milionë raste janë regjistruar në botë gjatë javës së fundit, duke shkaktuar vdekjen e 60.000 personave”, -njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Evropa, që pa numrin total të infektimeve të kalonte pragun e 15 milionë rasteve, mbetet rajoni më i prekur në botë.
Javën e kaluar, kjo shifër përbënte 45 për qind të rasteve botërore dhe 49% të të vdekurve, sipas rezultatit epidemiologjik të përjavshëm nga organizata.
Me 1.84 milionë raste, presioni mbetet i lartë në Evropë, por OBSH-ja nënvizoi se javën e kaluar, për herë të parë në më shumë se tre muaj, rajoni ka regjistruar një rënie me 10 për qind të numrit të rasteve të përjavshme.
Më shumë se 29.000 të vdekur janë regjistruar në kontinentin evropian gjatë kësaj periudhe, një rritje me 18 për qind në raport me javën e mëparshme.
Kontinenti amerikan, rajoni i dytë më i prekur, ka parë që numri i rasteve të rritet me 40 për qind, me më shumë se 1.45 milionë raste të reja. I vetmi rajon që regjistroi një rënie në numrin e rasteve të reja dhe vdekjeve në javën e kaluar ishte Azia Juglindore.
Më shumë se 1.3 milionë persona kanë humbur jetën në të gjithë botën dhe më shumë se 55 milionë janë infektuar që nga fillimi i pandemisë. (Elona)