Rio de Zhaneiro njoftoi të martën rinisjen e plotë të aktiviteteve në plazhet e qytetit, duke përjashtuar një valë të dytë të mundshme të koronavirusit, si në Evropë.

Rio tashmë do të lejojë frekuentimin e plazheve, pa asnjë kufizim kohor, për sa kohë do të respektohet distancimi fizik, bën të ditur “Ansa”.

Kryetari i bashkisë së Rios, Marcelo Crivella, autorizoi posaçërisht praktikimin e sporteve si në ujë ashtu edhe në rërë gjatë gjithë ditës. Në të njëjtën kohë, u lejua hapja e shkollave komunale dhe mbajtja e sporteve të rrugës, të tilla si maratonat dhe garat e çiklizmit.

"Shanset e një vale të dytë në Rio janë të pakta. Pandemia është nën kontroll edhe pa vaksinën. Unë jam i sigurt që po ndërtojmë imunitetin e tufës", -tha Crivella, i cili po përpiqet të rizgjidhet në zgjedhjet komunale më 15 nëntor. (Elona)