Evropa rrezikon të goditet nga valë të mëtejshme të infeksioneve të koronavirusit vitin e ardhshëm, ka paralajmëruar Këshilli Shkencor i Francës, ndërsa kontinenti përpiqet të përballojë një goditje të dytë vdekjeprurëse në rastet me Covid-19.
Edhe nëse bllokimet e pjesshme që po vendosen në të gjithë Evropën zvogëlojnë shkallën e infeksioneve të reja, valët shtesë të sëmundjes janë të mundshme në mungesë të një vaksine, përcjell “France24” deklaratën e këshillit francez.
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi një bllokim në të gjithë vendin deri më 1 dhjetor, duke përmendur gjetjet e këshillit, i cili përfshin ekspertët kryesorë të pandemisë së Francës dhe këshillon qeverinë për politikën shëndetësore.
Kryeministri britanik Boris Johnson ndoqi këtë sugjerim, duke njoftuar një mbyllje të pjesshme, njëmujore në Angli. Spanja në anën tjetër ka vendosur një shtetrrethim natën dhe po ashtu edhe Italia ka njoftuar kufizime të reja. (Elona)