Pavarësisht ashpërsimit të masave në Evropë, rastet vijojnë të rriten. Sipas OBSH-së, një numër rekord prej mbi 700 mijë rastesh u shënuan gjatë javës së fundit në kontinentin e vjetër, shumica e të cilave në Britaninë e Madhe, Francë, Rusi e Spanjë.
Gjermania ka regjistruar shifra të larta që prej muajit prill. Kancelarja Angela Merkel tha se po ndiqte me shqetësim situatën në Evropë.
Ministri i Shëndetësisë në Çeki deklaroi se javët në vazhdim do të jenë të ndërlikuara dhe të zymta, ndërsa izolimi i pjesshëm hyri në fuqi deri më 3 nëntor. Çekia që ka nivelin më të lartë të infektimit në raport me popullsinë, mbylli shkollat, konviktet, baret dhe restorantet.
Në Holandë janë rikthyer masat strikte të kufizimit, pasi u mbyllën baret dhe restorantet për të paktën 4 javë, ndërsa përpiqet të kontrollojë përhapjen e pandemisë në atë që është kthyer një pikë e nxehtë në Evropë, shkruan “A2”.
Edhe në Francë janë marrë masa shtrënguese, për qytetet me nivel të lartë të infektimit përfshirë Parisin, ndërsa paralajmërohet se brenda pak javësh do të ezaurohen 90 për qind e shtretërve në terapitë intensive.
Në Britaninë e Madhe shifrat janë alarmante; me mbi 17 mijë raste dhe 143 viktima të shënuara në një ditë të vetme.