Shefi i OKB-së, Antonio Guterres deklaroi se duhen nxjerrë leksione të forta nga pandemia e koronavirusit, për të cilën bota nuk ishte e përgatitur, shkruan “Ansa”.
Gjatë prezantimit të dokumentit “Covid dhe mbulimi shëndetësor universal”, Guterres tha se një ndër to është se mungesa e investimeve në shëndetësi mund të ketë një ndikim shkatërrues në shoqëritë dhe ekonomitë. "Virusi ka treguar se mbulimi shëndetësor universal, sistemet e forta të shëndetit publik dhe gatishmëria për emergjencat janë thelbësore për komunitetet, për ekonomitë, për të gjithë”, -tha kreu i OKB-së.
Sipas tij, trajtimi shëndetësor nuk duhet të varet nga situata financiare, duke vënë në dukje se mbulimi shëndetësor universal kërkon që qeveritë të rrisin investimet në produkte të zakonshme shëndetësore, si dhe t'i bëjnë programet e shëndetit publik gjithëpërfshirës dhe të drejtë, pa pengesat financiare.