Nëntë muaj pas shpërthimit të koronavirusit të ri, bota ka kaluar pragun prej 1 milion të vdekur si pasojë e sëmundjes, sipas të dhënave zyrtare.
Në total, të paktën 33 milionë raste me Covid 19 janë regjistruar zyrtarisht në pesë kontinente. Afro 23 milionë janë konsideruar të shëruar nga autoritetet shëndetësore, shkruan “ATSH”.
Rajonet më të prekura për nga numri i viktimave janë Amerika Latine dhe Karaibet me 341.032 viktima për 9.190.683 raste, Evropa me 229.945 të vdekur për 5.273.943 raste dhe SHBA-ja dhe Kanadaja me 214.031 të vdekur për 7.258.663 raste.
Në nivel vendesh, SHBA-ja kryeson në vlerë absolute për sa u përket viktimave, ndjekur nga Brazili dhe India.
Krahasuar me popullsinë, ndër vendet më të prekura, numri i viktimave është më i lartë në Peru (975 për 1 milion banorë), ndjekur nga Belgjika (861), Bolivia (671) dhe Spanja (668).
Kalimi i pragut të 1 milion viktimave nga Covid 19 vjen në një kohë kur Evropa dhe në një masë më të vogël Lindja e Mesme dhe SHBA-ja po përballen me një rritje të rasteve të zbuluara (+ 20% në Evropë në një javë), duke shtuar frikën për mbërritjen e një vale të dytë të virusit.