Kina arriti ta ketë nën kontroll pandeminë COVID-19 në vetëm tre muaj dhe tani është koha të shohim se si shoqëria kineze luftoi së bashku kundër kësaj krize të shëndetit publik. Kohët e fundit, artikujt e botuar në “Bangkok Post” analizuan se si Kina ishte në gjendje të luftojë koronavirusin me efikasitet dhe efektivitet të lartë.
Epidemia u konsiderua si një emergjencë e madhe e shëndetit publik, duke kërkuar një gamë të gjerë masash të forta parandalimi dhe kontrolli.
Miliona mantelbardhë në Kinë luftuan në vijën e frontit në betejën kundër COVID-19, duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar shumë të tjerë. Janë pikërisht ata që i sollën dritë dhe shpresë kombit në një kohë të errët. Gjatë muajve të kaluar, Kina ndau publikoi dokumente teknike mbi protokollet e trajtimit dhe strategjitë e kontrollit me 180 vende dhe mbi 10 organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
Sipas Sun Xi, studiues nga Shkolla e Politikave Publike Lee Kuan Yew në Universitetin Kombëtar të Singaporit, pati tre shtylla kryesore që mbështetën suksesin e Kinës: udhëheqja e fortë, një mekanizëm gjithëpërfshirës dhe mbështetja e gjerë.
Së pari, udhëheqja e fortë siguroi drejtimin dhe strategjinë e duhur në luftimin e koronavirusit. Megjithëse disa mund të mos jenë të gatshëm ta pranojnë atë, nuk ka dyshim se kishte një udhëheqje të fortë nga Partia Komuniste e Kinës (PKK).
Së dyti, një mekanizëm gjithëpërfshirës mund të përballet plotësisht me krizën COVID-19. Emergjenca e shëndetit publik nuk është vetëm një çështje serioze shëndetësore, por gjithashtu "një problem i ndërlikuar ekonomik, shoqëror dhe politik", i cili kërkon përgjigje sistematike. Në janar, Kina ngriti Mekanizmin e Përbashkët të Parandalimit dhe Kontrollit të Këshillit të Shtetit (JPCMSC) në nivelin e qeverisë qendrore, i përbërë nga 32 agjenci dhe që mbulon parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, kërkimin shkencor, punët e jashtme, mbështetjen logjistike dhe punën në vijën e frontit .
Së treti, mbështetja e gjerë ishte thelbësore për të luftuar kundër COVID-19. Kjo është "lufta e njerëzve" dhe të gjithë luajnë një rol në Kinë. Mbajtja e maskës, distancimi shoqëror, vetë-izolimi dhe karantina ishin mënyrat efektive për të zvogëluar përhapjen.
Me mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e 1.4 miliardë banorëve kinezë, qeveria kineze arriti të zbatojë masat më gjithëpërfshirëse të parandalimit dhe kontrollit për të luftuar epideminë. Nga ana tjetër, siç tha edhe Sun Xi, shumë vende perëndimore janë përballur me dështime të politikave pasi banorët e tyre nuk janë aq mbështetës.
"Dhimbja është globale," tha Li Xiaoyun, profesor i lartë në Universitetin Bujqësor të Kinës. Nga paniku kaotik te reagimi gjithëpërfshirës dhe rimëkëmbja sistematike, Kina ka demonstruar qëndrueshmërinë, përshtatshmërinë, shkathtësinë dhe vetëbesimin e saj të jashtëzakonshëm.
(Albana)