Dhjetë vjet më parë në Aichi të Japonisë, 150 vende u takuan dhe hartuan 20 objektiva për të mbrojtur burimet natyrore të planetit. Më 15 shtator, Organizata e Kombeve të Bashkuara nxori Parashikimet e saj Globale mbi Biodiversitetin ku prezanton konkluzione bazuar mbi analizën e situatës gjatë dhjetë vjetëve të fundit. Në bazë të konkluzioneve të OKB-së, shumica e objektivave të vendosura para një dekade nuk janë arritur dhe si rezultat specie bimore e shtazore rrezikojnë të zhduken.
Shfrytëzimi i tepruar i burimeve natyrore dhe ndryshimet klimatike po shkatërrojnë pyjet tropikale dhe ekosistemet jetike për mbijetesën e faunës. Në këtë përfundim arrin raporti i ri i OKB-së që analizon mbarëvajtjen e mjedisit në 10 vitet e fundit dhe bën parashikime për 10 vitet e ardhshme. Paul Leadley, pedagog në Universitetin Paris-Sud thotë se situata është shqetësuese në zona kritike si pyjet e Amazonës në Brazil, shkruajnë mediet franceze.
“Ndër problemet më shqetësuese, mendoj unë, është shpyllëzimi, sidomos në zonat tropikale. Mendoj se në 2010 përcaktuam objektiva të arsyeshme që mund të ishin realizuar, por nuk u arritën,” thotë Profesor Leadley. Autori kryesor i raportit, Dr. David Cooper thotë se po t’u vinte notë këtyre përpjekjeve, do të thoshte se ato janë thuajse ngelëse.
“Ende vazhdon shpyllëzimi, po ashtu edhe keqësimi i cilësisë së shtresës së tokës. Ekosistemet pyjore janë keqësuar; po ashtu është rënduar situata në ekosistemet bujqësore”. thotë dr. Cooper.