Një grup i vendeve të pasura, që përbëjnë 13% të popullsisë botërore, ka blerë paraprakisht gjysmën e dozave të ardhshme të vaksinës kundër COVID-19, sipas një raporti të publikuar nga OJQ-ja “Oxfam”.
Raporti nënvizon vështirësinë që do të ketë një pjesë e popullsisë botërore për të gjetur vaksinat në periudhën fillestare, ndërkohë që dispozitivi ndërkombëtar i quajtur Covax, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), është bojkotuar nga Uashingtoni dhe nuk ka financim, shkruan “ATSH”.
SHBA-ja që nga maji, më pas Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, Japonia dhe vendet e tjera nënshkruan kontrata të shumta që garantojnë paraprakisht prodhimin dhe shpërndarjen e dozave nëse provat klinike në progres do të ishin përfundimtare.
Grupi “AstraZeneca”, një partner i Universitetit të Oksfordit, nënshkroi shumicën e këtyre kontratave publikisht, por “Sanofi”, “Pfizer”, “Johnson & Johnson”, “Moderna”, laboratori kinez “Sinovac” dhe instituti rus “Gamaleïa” gjithashtu kanë parashitur qindra miliona doza në të gjithë botën.
Sipas “Oxfam”, kontratat janë nënshkruar tashmë me pesë nga këta prodhues në fazën 3 të provave klinike për 5,3 miliardë doza, nga të cilat 51% për vendet e zhvilluara duke përfshirë ato më sipër si dhe Australinë, Hong Kongun , Zvicrën dhe Izraelin.