Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se një vaksinë kundër COVID-19 mund të jetë e disponueshme brenda një muaji, një parashikim optimist, që ka lënë skeptikë shumë ekspertë amerikanë.
Gjatë një seance me pyetje-përgjigje, me zgjedhësit e Pensilvanisë, publikuar në “ABC News”, presidenti Trump tha se jemi shumë pranë një vaksine, megjithatë shtoi se pandemia nuk do të zhduket thjesht nga vaksina.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan bën deklarata të tilla, ndërsa demokratët nuk i kanë kursyer akuzat ndaj tij, që sipas tyre po ushtron presion ndaj autoriteteve shëndetësore qeveritare dhe shkencëtarëve për të nxituar miratimin e një vaksine në kohë, për të ndryshuar trendin përpara zgjedhjeve presidenciale më 3 nëntor.