Kombet e Bashkuara dhe Organizata Meteorologjike Botërore publikuan raportin “Të bashkuar në shkencë”, i cili thekson ndikimet në rritje të ndryshimit të klimës.

Sipas raportit, bota do të përjetojë periudhën e vet pesëvjeçare më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e përshkruan raportin si dëshmues të një krize klimatike që po bëhet gjithnjë e më shqetësuese:

"Po, ekonomitë po ngadalësohen për shkak të COVID-19, por ngrohja e planetit tonë ende nuk është ndalur. Siç tregon raporti, përqendrimet e gazit serrë arritën rekorde të reja në vitin 2020. Hera e fundit kur nivelet kanë qenë kaq të larta, ishte 2.6 deri 5.3 milionë vjet më parë".

Raporti tregon se temperatura mesatare globale është 1.1 gradë Celsius mbi nivelin paraindustrial.

Guterres-i theksoi që, nëse gjërat nuk ndryshojnë, temperaturat mund të rriten deri në 3.5 gradë mbi nivelin paraindustrial:

"Gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, Arktiku parashikohet të vazhdojë të ngrohet mbi dy herë më shumë se mesatarja globale. Bota jonë mbetet larg, shumë larg, përmbushjes së objektivit të Marrëveshjes së Parisit për ta kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë”.

Ai vuri në dukje se rimëkëmbja nga COVID-19 mund të krijojë një mundësi për ta futur botën në një rrugë të qëndrueshme zhvillimi. (Artan Goga)