Kina organizoi një takim të martën për të nderuar heronjtë kombëtarë të luftës kundër epidemisë COVID-19, kriza më e madhe dhe më sfiduese e shëndetit publik që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949.
Kryespecialistit të njohur kinez të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes Zhong Nanshan iu dha Medalja e Republikës, nderi më i lartë shtetëror. Tre specialistëve të tjerë të shëndetit iu dha titulli i nderit kombëtar, "Hero i Popullit". Përfituesit janë Zhang Boli, specialist i Mjekësisë Tradicionale Kineze (MTK) i cili kryesoi hulumtimin e skemës së trajtimit COVID-19 që kombinon MTK-në me mjekësinë perëndimore, Zhang Dingyu, shefi i Spitalit Jinyintan që trajtoi koronavirusin në Wuhan dhe Chen Wei, një specialist shëndeti që realizoi arritje të mëdha në hulumtimin e COVID-19 , zhvillimin e vaksinës dhe ilaçet mbrojtëse.
"Punonjësit e shëndetësisë janë njerëzit më të dashur në epokën e re," tha presidenti kinez Xi Jinping në fjalimin pas dekorimeve. "Emrat dhe bëmat e tyre nuk do të harrohen kurrë nga kombi, populli dhe historia dhe do të gdhenden në monumentin e Republikës".
Miliona punonjës të shëndetësisë luftuan në vijën e parë të frontit kundër COVID-19 në të gjithë vendin, përfshirë 540 mijë në provincën Hubei të Kinës qendrore dhe kryeqendrën e saj Wuhan, rajoni më i goditur nga epidemia.
Xi u zotua se Kina do të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare për të trajtuar sfidat globale të pandemisë.
Kina ka vepruar me "hapje, transparencë dhe përgjegjësi" dhe ka përmbushur në mënyrë aktive detyrimet e saj ndërkombëtare që nga fillimi i shpërthimit, theksoi ai.
Kina "ofroi vullnetarisht informacion në lidhje me COVID-19 ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), vendeve përkatëse dhe organizatave rajonale në mënyrën e duhur dhe sekuencën gjenomike të koronavirusit të llojit të ri në kohën më të parë të mundshme", shtoi ai.
Kina ka kryer më shumë se 70 shkëmbime me vende të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare dhe rajonale mbi kontrollin e epidemisë për të ndarë përvojën e saj, vuri në dukje presidenti Xi.
Kina ka dërguar 34 ekipe ekspertësh mjekësorë në 32 vende dhe ka ofruar ndihmë për 150 vende dhe katër organizata ndërkombëtare; nga 15 mars deri më 6 shtator, vendi eksportoi 151.5 miliardë maska, 1.4 miliardë kostume mbrojtëse, 230 milionë palë syze, 209 mijë ventilatorë, 470 milionë kite testimi dhe 80.14 milionë termometra me rreze infra të kuqe, tha kreu kinez.
Pandemia ka treguar se njerëzimi është një bashkësi që ndan të mirën dhe të keqen, Kina do të vazhdojë të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar për kontrollin e epidemisë, të mbështesë OBSh-në në luajtjen e rolit kryesor në luftë dhe të kontribuuojë në ndërtimin e një komuniteti të përbashkët të shëndetit të njerëzimit, tha ai.(Vera/Albana)