Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar kundër grumbullimeve masive pasi në shumë vende po shihet një shtim i rasteve me koronavirus.

Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se në shumë vende po regjistrohet një rritje e infeksioneve ndërsa vendet po organizojnë më shumë ngjarje sociale, duke përfshirë stadiumet, klubet e natës dhe vendet e adhurimit.

"Këto lloj tubimesh mund të jenë shkëndija që krijojnë një zjarr shumë më të madh. Çdo vend dhe komunitet duhet të marrë vendimet e veta se si t'i organizojnë të sigurta këto ngjarje bazuar në nivelin e tyre të rrezikut."

Gjithashtu, OBSh-ja këshilloi vendet të bëjnë sa më shumë testime për gjetjen e rasteve me koronavirus, edhe nëse të prekurit paraqesin simptoma të lehta ose nuk kanë simptoma.

Kjo erdhi pasi Qendrat e ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshuan udhëzimet duke thënë se kontakte të ngushta asimptomatike të rasteve nuk kanë nevojë të testohen.

Ekspertja e OBSh-së, Maria Van Kerkhove tha se testimi për rastet e lehta dhe asimptomatike është thelbësor për frenimin e transmetimit.

"Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme është që testimi të përdoret si një mundësi për të gjetur raste aktive në mënyrë që ato të izolohen dhe që gjurmimi i kontaktit të mund të ndodhë dhe me ta identifikuar një rast duhet të karantinohet. Dhe kjo është me të vërtetë thelbësore për këputjen e zinxhirëve të transmetimit".

(Albana)