Në aeroportet gjermane janë ngritur pika për testimin e njerëzve që vijnë nga një listë vendesh me rrezik të lartë infektimi nga koronavirusi i ri.
Vendimi për testimin e udhëtarëve në aeroporte u mor javën e kaluar, pas shtimit të infeksioneve të reja në Gjermani.
Ministri i Shëndetësisë i landit të Rinit Verior-Vestfalisë Karl-Josef Laumann thotë se ata kanë filluar testimin në aeroporte për të kontrolluar numrin e rasteve nga jashtë:
"Meqë baza e tanishme ligjore në Gjermani është e tillë që kjo mund të bëhet vetëm vullnetarisht, ne duhet gjithashtu të ofrojmë testime falas, sepse përndryshe jemi të shqetësuar se ato nuk do të bëhen."
Shtimi i infeksioneve në Spanjë dhe vende të tjera po shkakton shqetësim në rritje te autoritetet shëndetësore evropiane se ata që kthehen nga pushimet verore mund të sjellin virusin.
Vendet evropiane filluan hapjen për turistët e njëri-tjetrit në mes të qershorit. (Vera)