Ministri i Jashtëm britanik Dominic Raab ka mbrojtur vendimin e papritur të Londrës për të vendosur një karantinë dyjavore lidhur me koronavirusin për udhëtarët e kthyer nga Spanja.
Qeveria britanike deklaroi të shtunën vendimin për ta hequr Spanjën nga lista e udhëtimit të sigurt, vendim që hyri në fuqi po atë ditë, pa u lënë kohë udhëtarëve të përgatiten.
Raab tha se masa ishte një reagim ndaj rritjes së rasteve të koronavirusit të premten në Spanjë, duke arritur një kulm të ri brenda muajit të fundit.
Ministrja e Jashtme spanjolle Arancha Gonzalez Laya tha se Madridi po negocionon me qeverinë britanike për të anuluar karantinën 14-ditore për udhëtarët nga Spanja.
Laya theksoi se qeveria spanjolle dëshiron që Britania të heqë karantinën për udhëtarët nga ishujt spanjollë të pushimeve Baleare dhe Kanarie.
Ditët e fundit në Spanjë ka pasur tre shpërthime serioze të COVID-19 dhe jeta e natës në Barcelonë u ndalua krejtësisht fundjavën e kaluar.