Drejtuesit e Bashkimit Evropian kanë arritur një marrëveshje historike për të krijuar një fond rigjallërimi me vlerë 750 miliardë euro, për të ndihmuar shtetet anëtare të goditura më rëndë nga kriza e COVID-19.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron e bënë njoftimin të martën, pas katër ditë bisedimesh në Bruksel.

Macron-i tha se bisedimet ishin të vështira dhe se duhej të bëheshin lëshime për të siguruar miratimin e vendeve anëtare, kundërshtimet e të cilave po bllokonin marrëveshjen.

Komisioni Evropian do të mbledhë 750 miliardë euro nga tregjet e kapitaleve në emër të të 27 vendeve, që është huamarrja e vet e përbashkët më e madhe në histori.

KE-ja do të ofrojë 390 miliardë euro si grante për vendet e goditura më rëndë nga pandemia, dhe pjesa tjetër do të jepet si kredi me interes të ulët.

Merkeli tha se marrëveshja tregon që BE-ja është e aftë të veprojë si një e tërë edhe gjatë krizës së vet më të madhe.