Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se udhëheqësit e Bashkimit Evropian mund të mos arrijnë marrëveshje për një plan stimulimi prej shumë miliarda dollarësh mbi koronavirusin.
Duke folur ndërsa negociatat maratonë në një samit në Bruksel hynë në ditën e tretë të dielën, shefja e qeverisë gjermane tha:
"Sot ne po hyjmë në ditën e tretë të negociatave dhe sigurisht që kjo (ditë) është vendimtare. Ka tema të ndryshme, si përmasa e fondit, mënyra e taksimit, si edhe çështjet e sundimit të ligjit ... Ende nuk mund të them nëse do të arrihet ndonjë rezultat."
Gjermania dhe Franca kanë kërkuar një paketë të rimëkëmbjes ekonomike me vlerë 1.8 trilionë euro, për të ndihmuar vendet e BE-së më të goditura nga COVID-19.
Udhëheqësit e Unionit nuk kanë rënë në një mendje për kushtet që duhet t'i bashkëngjiten ndihmës, pasi një grup shtetesh veriore duket se nuk janë të gatshme të tërhiqen nga kërkesat për shkurtime në paketë.
Sipas ekspertëve, pamundësia për të arritur unitet përballë një krize të pashoqe shëndetësore dhe ekonomike do të ngrinte pikëpyetje serioze në lidhje me të ardhmen e BE-së. (Artan Goga)