Ministrat e shëndetësisë të BE-së kanë vlerësuar mbështetjen e dhënë nga Komisioni Evropian lidhur me përpjekjet për të prodhuar vaksina të sigurta dhe efektive të COVID-19.
Komisionerja e BE-së për Shëndetësinë Stella Kyriakides thotë se po diskutohet për prodhimin e një vaksine:
"Ne jemi në negociata me industrinë e me vendet anëtare, në partneritet me vendet anëtare, që të kemi një vaksinë ose disa vaksina sa më shpejt të jetë e mundur, të disponueshme në mënyrë të barabartë për të gjithë. Vaksina që do të jenë të sigurta".
BE-ja po planifikon të shpenzojë rreth 2.3 miliardë dollarë amerikanë për blerjen paraprake të vaksinave që janë duke u testuar, në emër të 27 shteteve anëtare të saj.
Vendet e BE-së po ndjekin gjithashtu nismat e tyre të veçanta me prodhuesit e vaksinave për të pasur në zotërim vaksinat e mundshme.
Gjermania, Franca, Italia dhe Holanda kanë bërë një marrëveshje të përbashkët me kompaninë e prodhimit të barnave “AstraZeneca” për të blerë vaksinat e saj që janë në zhvillim e sipër.