Themeluesi i kompanisë "Microsoft" dhe filantropisti Bill Gates bëri thirrje ditët e fundit se ilaçet dhe vaksinat e ardhshme të COVID-19 duhet t'u ofrohen atyre që kanë më shumë nevojë e jo atyre që japin më shumë para.
Gjatë një videokonference për pneumoninë e COVID-19, të organizuar më 11 korrik nga Shoqata Ndërkombëtare e Sidës (IAS), Gates-i tha: "Nëse u ofrojmë ilaçet e vaksinat atyre që japin më shumë para dhe jo atyre që kanë më shumë nevojë, pandemia do të zgjatë më shumë dhe do të bëhet më vdekjeprurëse."
Qeveritë e vendeve evropiane e qeveria amerikane kanë investuar miliarda dollarë në qindra projekte të kërkimit të vaksinave kundër COVID-19. Shumë janë të shqetësuar se vendet e pasura mund t’i monopolizojnë ilaçet e vaksinat përkatëse, kurse vendet në zhvillim do të lihen mënjanë.
Komisioni Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë paralajmëruar mbi konkurrencën e ashpër për ilaçet kundër COVID-19, që janë jetike për shpëtimin e jetës dhe rimëkëmbjen ekonomike. Por një pjesë zyrtarësh të Uashingtonit kanë deklaruar se do të ndjekin parimin “Amerika e para”, duke u dhënë përparësi shtetasve amerikanë. (Wang Lei)