Kreu republikan i Shoqatës së Guvernatorëve të ShBA-së, guvernatori i shtetit të Merilandit Larry Hogan, propozoi një rihapje të kujdesshme të shkollave dhe kritikoi reagimin e administratës së Trump-it ndaj pandemisë.
Hogan tha se qeveria amerikane nuk ka arritur të formojë një strategji të qartë kombëtare për trajtimin e krizës.
"Pa dyshim që janë bërë gabime, që duhej të kishim një strategji kombëtare të testimit, që duhej të ishim në krye të punëve, që duhej të kishim një strategji kombëtare shumë më të qartë dhe të komunikonim shumë më herët gjatë këtij procesi. Mendoj se guvernatorët duhej të kishin dalë në frontin e parë, por ne patëm 50 shtete të ndryshme me 50 strategji të ndryshme," theksoi ai
Presidenti Donald Trump ka bërë presion ndaj shteteve për të rihapur bizneset dhe shkollat, pa përfillur rritjen e rasteve të COVID-19 në disa shtete. (Wang Lei)