“Tesla” thotë se është "afër" arritjes së nivelit 5 të teknologjisë të drejtimit autonom, që do të thotë aftësi e makinës për të qarkulluar pa asnjë të ashtuquajtur “informacion drejtuesi”.
Në një videomesazh në hapjen e Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale në Shangai kryeekzekutivi i “Tesla”-s Elon Musk u shpreh:
"Mendoj se ne në ‘Tesla’ jemi shumë afër autonomisë së nivelit të pestë. Kam besim se sivjet do të arrijmë funksionalitetin themelor për autonominë e nivelit të pestë."
Kompania shiti afro 15 mijë automobila të tipit “Model 3” të prodhuara në Kinë muajin e kaluar.
"Jam tepër krenar për ekipin e ‘Tesla’-s. Ata po bëjnë një punë të mrekullueshme dhe po pres ta vizitoj gigafabrikën e Shangait sa më shpejt të jetë e mundur. Është vërtet mbresëlënëse puna që është bërë. Nuk mund të them sa duhet fjalë të mira për të," shtoi Musk.
“Tesla” është bërë kompania e prodhimit të automjeteve me vlerë më të lartë, pasi aksionet e saj regjistruan nivele të larta dhe kapitalizimi i saj i tregut e kaloi atë të ish-numrit një, “Toyota”-s.
Analistët thonë se së shpejti kompania do të përfshihet në treguesin “S&P 500”, gjë që do ta ndihmojë “Tesla”-n të sigurojë investime shtesë.
Kompania do të publikojë rezultatet e tremujorit të dytë më 22 korrik, që mund të jetë tremujori i katërt radhas me fitime për “Tesla”-n, duke shënuar rekord për të.