Shifrat e reja për SIDA-n tregojnë një sukses të madh në shkallë globale, me më pak vdekje dhe infeksione të reja.
Por vetëm gjysma e fëmijëve me HIV, virusi që shkakton sëmundjen, po marrin trajtim.
Drejtoresha Ekzekutive e UNAIDS-it Winnie Byanyima thotë se përparimi kundër HIV-it po dëmtohet gjithashtu nga pandemia e koronavirusit të ri:
"Ne ishim tashmë drejt mosrealizimit të objektivave për vitin 2020, por COVID-19 po kërcënon të na nxjerrë plotësisht jashtë kursit. Prandaj duhet të kemi parasysh dhe të sigurojmë që vendet që kanë një ngarkesë të lartë të HIV-it dhe po përballen me COVID-in, të jenë në gjendje të luftojnë në dy fronte njëkohësisht."
UNAIDS i raportoi shifrat e vitit të kaluar në fillimin e një konference ndërkombëtare për SIDA-n të hënën.
Në raport thuhet se parashikohet që Kombet e Bashkuara të mos i realizojnë objektivat e sivjetshëm për të kufizuar infeksionet me HIV dhe përmirësimin e trajtimit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Byanyima u shpreh e shqetësuar se në shumë vende burimet për HIV-in tani po përdoren në luftën kundër COVID:
"Po për sa u përket trilionave për të mbajtur njerëzit gjallë, për të paguar qiratë e tyre dhe për të blerë ushqime, sepse janë pa punë? Triliona. Pra, nëse bota mund të sigurojë burime të këtij lloji, ne mund ta zgjidhim problemin e SIDA-s, siç e kam thënë."
Sipas raportit, rreth 1.7 milion infeksione të reja me HIV ndodhën në vitin 2019, 23 për qind më pak në krahasim me vitin 2010, por shumë më pak se objektivi i uljes prej 75%.
Afrika Lindore dhe Jugore i kanë frenuar shumë infeksionet e reja, por ato po rriten gjetkë, duke përfshirë 72 % në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Rreth 38 milion veta janë me HIV në të gjithë botën dhe 81 % nga ata janë në dijeni të statusit të tyre. Rreth 690 000 vdekje të lidhura me SIDA-n u regjistruan në vitin 2019.