Foto:Faqja ne Facebook

Foto:Faqja ne Facebook

Qendra Shëndetësore e Vorës është pajisur me grafi të re digjitale, duke shtuar një shërbim të ri, të munguar më parë për banorët e zonës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, shpërndau në rrjetet sociale pamje nga investimi i ri dhe deklaroi se po fuqizohet rrjeti i pajisjeve radiologjike në spitale dhe poliklinika.

“Janë 4.2 milionë euro që qeveria shqiptare po i investon në përgjigje të programit tonë të kujdesit ndaj qytetarëve, ndaj Covid 19, por gjithashtu dhe të strategjisë sonë të kujdesit parësor, për të fuqizuar të gjithë rrjetin tonë të kujdesit parësor, të qendrave shëndetësore dhe ambulancave”,- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu foli edhe për vijimin e programit të 300 qendrave shëndetësore për përmirësimin e infrastrukturës së tyre dhe ambulancave në të gjithë vendin.

“Në këtë vit po hapim punimet për 40 qendra shëndetësore dhe ambulanca në të gjithë vendin. Programi ynë i përmirësimit të infrastrukturës të qendrave shëndetësore po vijon”,- tha Manastirliu.

Në kuadër të planit të përballimit të Covid 19 dhe emergjencave shëndetësore, po kryhen investime në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake për pajisjen dhe rinovimin e flotës së aparaturave biomjekësore të teknologjisë së lartë. (Elona)