Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave faqja zyrtare

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave faqja zyrtare

Më 19 gusht, Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri (DPA) përcolli revolucionarizimin e kryer në Fototekën që ka nën zotërim, përmes digjitalizimit të shërbimeve të ofruara.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Drejtorisë, Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH) sot numëron rreth 135.000 fotografi origjinale. Prej tyre, rreth 41.000 i përkasin veprimtarisë politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve dhe Shqipërisë deri në vitet 1944; rreth 43.000 fotografi i përkasin fondit të Institutit “Luce” gjatë periudhës së pushtimit italian, 17.000 prej të cilave janë ekzemplarë tepër të rrallë, ndërsa rreth 13.000 fotografi në negativ (xham ose film).

Mbi 90% e kategorive të lartpërmendura të fotografive janë digjitalizuar dhe mund të aksesohen përmes platformës “Fototeka Online”.

Fototeka, që deri pak vjetësh mund të aksesohej vetëm në Sallën e Studimit të DPA-së, është e dyta më e madhe në Shqipëri për fotografitë e periudhës përpara vitit 1944, pas fototekës “Marubi”.

Fototeka tashmë është online për të gjithë dhe është tepër e thjeshtë për t’u përdorur nga publiku përmes faqes “fototeka.arkiva.gov.al”. Në këtë platformë, të gjithë të interesuarit jo vetëm që mund të shohin në format të dallueshëm fotografitë falas, por mund t’i blejnë ato automatikisht online, në rezolucion të lartë, duke kryer një pagesë minimale (100 lekë për fotografi). Po ashtu, platforma është interaktive, ku çdokush mund të sugjerojë elementet përshkruese të fotografisë që mund të mos njihen nga specialistët e fushës (si emrat e personave që shfaqen në të, vendet, relievin, përshkrimin, kohën e kryerjes), duke mundësuar një bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucionit dhe të gjithë të pasionuarve pas historisë dhe fotografisë. (Elona)