Kristi Çina ësht diplomuar për drejtësi në Universitetin “Alexandru Ioan Cuza” në Iasi të Rumanisë ku dhe ka kryer studimet për Master në të Drejtën e Biznesit.

Ai është është një nga themeluesit dhe presidenti në detyrë i Shoqatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNAA). Që nga viti 2016 Kristi ka kontribuar në formësimin e kësaj shoqate dhe kapitullit të saj të të rinjve, si dhe në vizionin dhe punën programatike të shoqatës.

Kristi numëron 6 vite përvojë profesionale në sektorë të ndryshëm si konsulencë ligjore (Deloitte Legal Shpk), organizata ndërkombëtare (Prezenca e OSBE në Shqipëri) dhe organizata jofitimprurëse (UNAA). Gjatë karrierës së tij ai ka punuar në projekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e të rinjve, çështjet gjinore, shoqërinë civile, sundimin e ligjit etj.

Kristi është gjithashtu themelues dhe menaxher i Delegatëve të Rinisë Shqiptare në Programin e OKB-së (UNYD) dhe ka shërbyer si këshilltar për të rinjtë në Delegacionin Kombëtar të Republikës së Shqipërisë në Konferencën e Përgjithshme të 40-të të UNESCO-s.

Kristi është anëtar i Bordit Këshillimor Rinor të OKB-së në Shqipëri dhe Komisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Integritet (krijuar nga ICC Albania).

CMG : Kristi, e nisim me frikën që mund të kesh nga dështimi

Kristi Çina : Unë vetë nuk kam frikë nga dështimi dhe ka qenë kjo ndoshta arsyeja pse jam këtu sot.

U rrita duke kuptuar që studimet edhe në këtë fushë nuk janë më pak të rëndësishme. Pra, nëse i referohemi studimeve të ndryshme ato tregojnë se edhe vetë fëmijët, të cilët rriten duke mos pasur frikë nga dështimi, bëhen më të suksesshëm. Pra, që nga ideja që prindërit kanë se fëmijët nuk duhet të marrin nota të dobta, kjo përcakton nivelin e tyre. Kjo është e gabuar. Nëse fëmijët kanë mungesë të njohurive të caktuara, ata marrin sërish guximin për t'u përpjekur. Kjo mësohet që në shkollë jo nëse rritesh. Ne duhet të rikthehemi tek ndjesitë e një fëmije para se të ndrydheshim kështu si jemi bërë sot.

Duhet të tentojmë më shumë dhe të kemi frikë më pak. Nëse do flisja në aspektin individual, unë jam nga ata njerëz të cilët hidhen në zjarr dhe kështu kam bërë.

Kam lënë punën time si konsulent ligjor për t'iu dedikuar një tjetër profesioni. Këtë veprim e bëra pa gjetur ende një punë të re, thjesht dhe vetëm sepse më pëlqejnë sfidat.

CMG : A je në sfidë me botën, apo veten?

Kristi Çina : Unë jam fillimisht në garë me veten. Dua gjithnjë të kuptoj ku kam qenë dhe ku do të jem. Është e gabuar të konkurrosh me dikë tjetër. Secili prej nesh është individual në gjithçka që bën dhe gjithçka që duhet të ofrojë. Ndaj, unë luftën e kam me veten. Nëse do përmirësohesha çdo ditë nga pak, kjo për mua do të ishte arritje.

Dua shpesh të dal nga zona e rehatise për të fituar sfidën me veten.

Me botën jam vetëm kur padrejtësia shkel të drejtat themelore të miat ose të dikujt tjetër. Sfidat duhet të jenë pozitive dhe jo toksike. Pra, nuk duhet të krahasohet dikush me dikë dhe të vendosë sfida se më pas nuk ka kuptim.

CMG : Familja juaj, cila është panorama e saj dhe a keni pasur një fëmijëri të lumtur?

Kristi Çina : Po. Unë mendoj që aty ka nisur çdo gjë. Është një libër i bukur familja ime. Ndonjëherë mendoj që vetë motra ime ka besuar tek unë me shume se vetë unë tek vetja ime.

Në vitin 2016 u ktheva sërish në Shqipëri dhe ajo besoi tek unë. Po vija në Tiranë me asnjë kontakt apo rrjetëzim, ndaj motra ka qenë aty për mua gjithnjë. Do të veçoja edhe disa miq, të cilët kanë besuar tek unë pa pikë dyshimi.

Hapja e një organizate, siç unë kisha qëllimin tim, për të erdhi e habitshme, por pavarësisht kësaj zgjodhi të besonte tek unë.

CMG : Çfarë është më tepër e rëndësishme për ju në jetë?

Kristi Çina : Për mua është familja dhe kjo nuk është klishe. Më pas vjen shoqëria dhe karriera. Nuk mund të them që në momente te caktuara edhe vetë unë nuk kam sakrifikuar për karrierën.

Për mua ka një piramidë që në fillim është familja pastaj shoqëria dhe më vonë karriera.

CMG : Cilat kanë qenë vendimet e tua më të ndërlikuara në jetë?

Kristi Çina : Do përmendja fillimisht studimet në Rumani. Atje unë nuk mund të them që gjeta një vend shumë të zhvilluar, sepse ishte vetëm disa hapa larg vendit tonë. Një vendim shumë i vështirë për mua ka qenë momenti kur hoqa dorë nga të qenit konsulent ligjor. Unë punoja në një zyrë shumë të rëndësishme ligjore, ndaj kur hoqa dorë për mua ishte sfidë shumë e madhe.

Sot nuk pendohem sepse kam arritur shumë gjëra në jetën time profesionale.

CMG : Si do të mund të ishte një botë më e mirë për ju dhe të ardhmen tuaj?

Kristi Çina : Jam mbrojtës i ideve të barazisë. Qoftë barazia gjinore, e të ardhurave apo çfarëdo tjetër.

Një shoqëri e barabartë është një shoqëri me peshë dhe që dukshëm ka përparuar. Ndaj, nëse bota do të ishte më e mirë pa konflikte dhe problem, ajo do të ishte më e barabartë.

CMG : Si funksionon organizata juaj dhe çfarë ofron?

Kristi Çina : Ne fakt unë fillimisht do të përmendja se sa e organizuar është UNAA dhe çfarë niveli demokratik ka arritur si organizatë.

Më vjen mirë që sot kemi arritur të kemi një rrjet, që punon çdo ditë duke e ditur mirë se çfarë është duke bërë.

Kjo organizatë u mundëson të rinjve edhe konsultime për të mësuar qoftë nga vetë studentët apo edhe akademikët vetë.

Pra, impakti është të marrin dije dhe rrjetëzim. Është shumë e rëndësishme që të ndiqet ky model demokratik dhe të frymëzojë edhe modele të tjera. Pastaj është fryma pozitive ajo që e bën një organizatë të mirë

CMG : Cilat janë gjërat pas të cilave kapesh për të dalë nga rutina?

Kristi Çina : Njeriu nuk duhet të ketë vetëm një arsye për të qenë i lumtur, por disa. Familja ime më jep motivin që më duhet si edhe shoqëria. Unë zgjedh ta shoh jetën si projekt. Shpesh zgjedh sfida që më japin kënaqësi dhe më rrisin.

CMG : Cili është parimi juaj bazë?

Kristi Çina : Dëshirë e madhe për cilësi dhe urrejtje për mediokritet.

Unë kërkoj vetëm nga vetja dhe dua që çdo gjë të ketë identitet cilësor.

Këto parime i kam ndërtuar tek puna ime e parë si konsulent ligjor, sepse aty punoja me njerëz ekselentë.

Ne aty mësuam që dhe konkurrenca ishte cilësore dhe e shëndetshme.

CMG : Unitet Nation Association, çfarë projektesh sjell për të rinjtë në shtator?

Kristi Çina : Prej shtatorit dhe deri në dhjetor do të jetë një vit i mbushur plot me aktivite, të cilat në fokus kanë të rinjtë.

Fatkeqësisht dhe fatmirësisht do jete një sezon shumë i ngarkuar, por nga ana tjetër do bëjmë gjëra më vlerë dhe përfitim për të rinjtë.

Fillimisht presim të rinj që të bëhen pjesë e kësaj strukture me bazë demokratike dhe transparence. Pasi të bëhemi bashkë do jetë një konferencë me mbi 80 përfaqësi nga të gjitha vendet e Europës.

Gjithashtu ajo që do ndodhë në mes shtatorit do jenë përfaqësimi i të rinjve që janë anëtarë tek ne, ata do të shkojnë në OKB.

Unë jam krenar që kemi një sërë projektesh, që i mbajnë të rinjtë të angazhuar mirë. Shumë mundësi dhe shumë oportunitete, që nuk janë të ngjashme në Shqipëri.

Intervistoi: Megi Latifi