Rritja e çmimeve nuk ka ndalur dhe në korrik, ndonëse ritmet janë ngadalësuar në krahasim me muajt e mëparshëm.

Instituti i Statistikave në Shqipëri bëri të ditur e inflacioni në muajin korrik arriti në 7.5%, nga 7.4% që ishte në qershor.

Ai ishte në nivelin më të lartë që nga shkurti i vitit 2002, kur treguesi arriti 7.6%.

Objektivi i shënjestruar i Bankës së Shqipërisë ishte në nivelin 3%.

Në përpjekje për të frenuar rritjen e inflacionit, Banka e Shqipërisë, e cila ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që nga muaji mars i këtij viti ka rritur tre herë normën bazë të interesit, duke e çuar nga minimumi historik prej 0.5% në 1.75% në fillim të gushtit.

Në Eurozonë, në korrik inflacioni arriti në nivel rekord prej 8.9%.

Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë vetëm po rritet. (Fatosi)