Studimi mbi Covid (Foto Facebook Akademia e Shkencave e Shqiperise)

Studimi mbi Covid (Foto Facebook Akademia e Shkencave e Shqiperise)

Rezultatet e punës studimore të grupit kërkimor të Akademisë Shqiptare të Shkencave (ASHSH) mbi Covid-19 janë botuar në revistën shkencore prestigjioze ndërkombëtare “Journal of Global Health”.

Në një njoftim të ASHSH-së, thuhet se grupi kërkimor i ngritur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë për studimin e përgjigjes imunitare të popullatës shqiptare ndaj Covid-19 ka botuar së fundmi artikullin “Vlerësimi i seroprevalencës së antitrupave SARS-CoV-2: Rëndësia e tyre për kuptimin e imunitetit të popullatës shqiptare në fund të valës së variantit Alfa të virusit”.

Në njoftim theksohet se këto rezultate shkencore origjinale janë të vetmet deri tani në rajonin e Ballkanit që paraqesin dinamikën dhe veçoritë e hasjes së antitrupave në popullatën e përgjithshme të rritur shqiptare që nga qershori 2020 deri në korrik 2021. Në qershor 2020 kjo seroprevalence ishte 7.5%, ajo u ngjit në 48.2% në dhjetor 2020 dhe arriti vlerën 73.3% në korrik 2021.

Studimi analizon në mënyrë të detajuar praninë e antitrupave ndër ata që e kishin kaluar infeksionin apo që ishin vaksinuar si dhe sipas grupmoshave apo karakteristikave të tjera. Me interes ishte rezultati që antitrupat u gjendën pozitivë në 42.3% të individëve që nuk referonin as të ishin të vaksinuar dhe as të kishin kaluar infeksionin.

“Ky publikim shkencor ndërkombëtar është një rezultat i rëndësishëm i aktivitetit kërkimor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë së Tiranës dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe e rendit Shqipërinë në të njëjtën linjë me vendet e përparuara në studimin e imunitetit ndaj Covid-19 në popullatën e përgjithshme”, -thuhet në njoftimin e ASHSH. (Irma)