Dy ditë pasi OBSH e shpalli linë e majmunëve emergjencë globale shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ngriti Komitetin e Ekspertëve për Parandalimin dhe Kontrollin e këtij virusi.

Ministrja shqiptare e Shendetesise Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)

Ministrja shqiptare e Shendetesise Ogerta Manastirliu (Foto RTSH)

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se ky komitet do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga Instituti i Shëndetit Publik për linë e majmunëve, bën të ditur “RTSH”.

“Drafti i parë i planit të masave ka përfunduar. Pavarësisht se Shqipëria hyn në vendet e nivelit të parë, pra konsiderohet me një risk të ulët, masat tona, përgatitja jonë do të jenë të plota në mënyrë që të fuqizojmë kapacitetet”, -tha Manastirliu.

Sipas ministres, janë marrë masa për fuqizimin e kapaciteteve, duke nisur nga testet laboratorike specifike që tashmë kryhen në ISHP.

“Aktualisht kanë mbërritur në institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve. Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masat së bashku me Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, me strukturën e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajnimin e mjekëve, një element shumë i rëndësishëm në funksion të kontrollit dhe parandalimit të kësaj sëmundjeje”, -tha Manastirliu. (Elona)