Turiste ne Gjirokaster (Foto Thealbanianprofile)

Turiste ne Gjirokaster (Foto Thealbanianprofile)

Instituti i Statistikave bëri të ditur se gjatë muajit qershor në territorin shqiptar kanë hyrë 876.056 shtetas të huaj, 45% më shumë krahasuar me qershorin 2021.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT-i, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin qershor 2022, ishin 1.359.501, me një rritje 44.6% krahasuar me qershorin 2021.

Për 6-mujorin e parë 2022, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5.1 herë.

INSTAT bëri të ditur se, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit qershor 2022, janë 1.262.925 duke shënuar një rritje me 44.6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit qershor 2022 janë 498.857. Krahasuar me qershorin 2021, ky numër është rritur me 34.2%. Daljet e shtetasve të huaj ishin 764.068, mbi 52% më shumë se qershori 2021.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, është 2.519.533 duke u rritur 47.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Irma)