Ministria e Mbrojtjes (Foto Rtsh)

Ministria e Mbrojtjes (Foto Rtsh)

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se është arritur shuarja e 24 vatrave të zjarrit në territorin shqiptar, duke shmangur rrezikun për zona të banuara dhe zona të mbrojtura.

Gjatë një deklarate për mediet, zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, deklaroi se sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, janë shuar vatrat e zjarrit në Lezhë, Vau i Dejës dhe Devoll, përcjell “RTSH”.

Ajo theksoi se pavarësisht terrenit të vështirë dhe erës, falë angazhimit të 105 forcave operacionale, si dhe vullnetarëve, dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit “Cougar” u bë e mundur shuarja e tyre në kohë rekord.

Qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha.

Sipas Bicit, aktualisht situata paraqitet nën kontroll, ku janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët, në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të bashkisë Durrës.

Për menaxhimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë 24 orëve janë angazhuar gjithsej 435 forca operacionale, 27 mjete tokësore dhe një mjet ajror.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë periudhë, kur dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve. Gjithashtu ajo bëri thirje për bashkëpunim me pushtetin vendor dhe të raportohen në kohë vatrat e zjarrit, duke kërkuar edhe ndihmën e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës. (Irma)