Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama (Foto Rtsh)

Kryeministri shqiptar Edi Rama përshëndeti vendimin e Maqedonisë së Veriut për miratimin e propozimit francez, duke i hapur kështu rrugën edhe Tiranës zyrtare drejt integrimit në BE, shkruan “RTSH”.

Në një postim në “Facebook”, kryeministri Rama njofton se delegacioni shqiptar do të niset menjëherë drejt Brukselit për të filluar negociatat e anëtarësimit.

“Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s'kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, -shkroi Rama.

Sipas tij, u deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit të Evropës për t'i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht.

“Ia kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t'ia dalim duke e rritur edhe më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar edhe më tepër ndryshimin”, -citon Rama.

Një falënderim ai ua ka adresuar miqve e partnerëve: “Faleminderit që të gjithëve për mbështetjen, kritikat, por edhe për refuzimet e viteve të fundit, të cilat na kanë ushqyer forcën, kalitur durimin dhe mprehur urtësinë”. (Fatosi)

Botërori i Atletikës Luiza Gega kualifikohet në finalen e 3000m me pengesa

Luiza Gega arrin të kualifikohet në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa në Botërorin e Atletikës që po zhvillohet në Oregon, SHBA.

Atletja shqiptare mbërriti e treta në baterinë e dytë të kësaj gare, me kohën 9'14"91.

Më 20 korrik Gega do të konkurrojë në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa, mes 15 atleteve finaliste, shkruan “RTSH”.

Sezoni i saj ka qenë fantastik, ndërsa ka regjistruar dy rekorde kombëtare në 3000 metra me pengesa, si dhe ka marrë dy trofe. (Fatosi)